Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se SHBA-ja i është mirënjohëse Turqisë për rolin që ajo ka luajtur në trajtimin e shumicës së problemeve më urgjente të ditëve të sotme.

Në një konferencë për media, Price tha se presidenti amerikan Joe Biden, mbështet shitjen e avionëve F-16 ndaj Turqisë dhe modernizimin e atyre aktualë dhe se do të vazhdojnë të punojnë me bashkëbiseduesit e tyre në Kongres lidhur me këtë çështje.

Price tha se si një anëtare e NATO-s, Turqia ka ofruar kontribute të rëndësishme për Aleancën. “Me Turqinë kemi marrëdhënie konstruktive. Ne i jemi mirënjohës Turqisë për rolin që ajo ka luajtur në trajtimin e shumicës së problemeve më urgjente të ditëve të sotme, përfshirë edhe sulmet e pamëshirshme të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.

“Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhet se Marrëveshja e Korridorit të Drithit nuk do të mund të nënshkruhej pa rolin kontruktiv të Turqisë”, tha Price duke nënvizuar se i janë mirënjohës Turqisë për hapat e ndërmarrë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe qeveria turke duke përdorur pozicionin e tyre ekskluziv në aspektin e luftës në Ukrainë.

Price theksoi se janë të vetëdijshëm që Turqia ndodhet përballë kërcënimeve ndaj sigurisë së saj. “Turqia është përballur me më shumë sulme terroriste në territorin e saj sesa të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s”, tha ai.

Pasi bëri të ditur se Turqia është “një aleate konstruktive e NATO-s”, Price potencoi rolin e Turqisë në luftën kundër terrorizmit, përfshirë edhe luftën kundër DEASH-it.

Ai shtoi se do të vazhdojnë të inkurajojnë që edhe dialogu mes Turqisë, Finlandës dhe Suedisë të avancojë në mënyrë konstruktive.

– Tensionet në rritje në Bregun Perëndimor

Pasi bëri të ditur se është shqetësues edhe tensioni në rritje kohët e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, Price tha: “Jemi të shqetësuar nga situata në Bregun Perëndimor”.

Ai tha se në hapat e SHBA-së për hapjen e ambasadës në Kuds nuk është marrë ende një vendim lidhur me çështjen e vendit dhe se punimet po vazhdojnë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re