Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një balonë gjigante kineze, për të cilën kanë thënë se ka spiunuar në zonat kyçe ushtarake në tokën amerikane.

 

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se aeroplanët luftarakë e kanë rrëzuar balonën mbi ujërat territorialë të SHBA-së.

 

Ministria e Jashtme e Kinës ka shprehur “pakënaqësi kundër përdorimit të forcës amerikane për të sulmuar një pajisje pa pilot”.

 

Në pamjet e publikuara nga rrjetet televizive amerikane, është parë që balona ka rënë në ujë pas një shpërthimi të vogël.

 

Autoritetet amerikane kanë thënë se balona ka rënë në ujërat e Karolinës Jugore.

 

Ushtria amerikane tani po tenton të largojë copëzat e shpërthimit që janë përhapur në 11 kilometra.

 

Në një deklaratë të lëshuar nga Pentagoni është thënë se balona vëzhguese ka mbledhur informacion të ndjeshëm, që ka qenë i rëndësishëm për SHBA-në.

 

“Ne kemi arritur ta studiojmë dhe vëzhgojmë me kujdes balonën dhe pajisjen e saj, të cilat kanë qenë të vlefshme”, është thënë në deklaratë.

 

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë nën presion për të rrëzuar këtë pajisje, prej kur zyrtarët e mbrojtjes e kanë identifikuar të enjten për herë të parë.

 

“Ata e kanë rrëzuar atë me kujdes dhe dua t’i përgëzoj aviatorët tanë”, ka thënë më pas presidenti amerikan, Biden.

 

Autoritetet kineze kanë thënë vazhdimisht se balona nuk është pajisje për spiunim, por pajisje e humbur për motin./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re