Ambasada e SHBA në Kosovë, ka thënë se Uashingtoni vazhdon të mbështesë kalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës – FSK-së në ushtri profesionale, duke shtuar se asnjë vend nuk mund të “veto” në këtë tranzicion, njoftoi RTK2.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e FSK-së në një ushtri multi-etnike, duke ndërvepruar me NATO-n. Asnjë vend nuk mund të vërë ‘vetos’ në këtë tranzicion”, ishte përgjigja që Ambasada e SHBA në Prishtinë i dha RTK2 në lidhje me qëndrimin e administratës amerikane pas miratimit të amendamenteve të Komisionit për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për transformimin e FSK-së në një ushtri të Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara thonë se u kërkon udhëheqësve politikë në Kosovë që të sigurojnë që procesi të vazhdojë në “mënyrë gjithëpërfshirëse, e cila pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës.”

“Është thelbësore që Kosova, nga ky moment e tutje, të koordinohet ngushtë me aleatët e NATO-s dhe të angazhohet me të gjithë qytetarët e saj, ndërsa tranzicioni përparon”, thuhet në përgjigje të RTK2.

Ushtria do të operojë në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë Veriun, sipas deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Është planifikuar që trupat e saj do të lëvizin në të gjithë vendin, përfshirë dhe Veriun problematik”, tha Haradinaj.

Ndryshe nga Policia e Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës deri më tani ka qenë e nevojshme leja e NATO-s, si dhe ftesa e autoriteteve lokale në mënyrë që të qëndrojë në tri komunat në Veri, të populluara kryesisht nga serbët.

Haradinaj thotë se një kufizim i tillë nuk është më i vlefshëm tani kur paketa e transformimit të FSK-së është e gatshme.

“Ne nuk kemi lënë asnjë hapësirë, është një e tërë: e drejta për një ushtri pa ndonjë kufizim”, tha ai.

Ai bëri këtë deklaratë pas një takimi me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re