Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kundërshtojnë propozimet për ta bërë organizatën më të pavarur.

Një propozim i bërë më parë nga Grupi i Punës i OBSH-së për financimin e qëndrueshëm u bën thirrje vendeve anëtare që të rrisin gradualisht donacionet e detyrueshme deri në vitin 2024, në mënyrë që paratë e tyre të përbëjnë gjysmën e buxhetit të organizatës, në krahasim me 20 për qind aktuale.

Plani është pjesë e një procesi më të gjerë reformash të nxitur nga pandemia COVID-19, e cila vuri në dukje kufizimet në aftësinë e OBSH-së për t’iu përgjigjur krizave më herët.

Përkrahësit e reformës thonë se mbështetja aktuale në financimin vullnetar nga shtetet anëtare dhe organizatat bamirëse si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates po e detyron OBSH-në të përqëndrohet në prioritetet e vendosura nga financuesit dhe të kufizojë kritikat nga anëtarët.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë reformën, duke shprehur shqetësimin për aftësinë e OBSH-së për t’u përballur me kërcënimet e ardhshme, duke përfshirë kërcënimet nga Kina, thanë zyrtarët e përfshirë në negociata për Reuters.

Uashingtoni po mbron krijimin e një fondi të posaçëm të kontrolluar drejtpërdrejt nga donatorët, i cili do të financonte parandalimin dhe kontrollin e emergjencave shëndetësore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re