Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Thomas Nides tha se vendi i tij do të luftojë përpjekjet e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë për Organizatën e Transmetimeve Publike të Izraelit (KAN), Nides tha: “Ne do të luftojmë çdo përpjekje aneksimi. Ne nuk e mbështesim aneksimin. Jo vetëm ne, por edhe shumë vende”.

Lidhur me lajmin se administrata e SHBA-së nuk do të takohet me Itamar Ben Gvir, kreun e Partisë së Forcës Hebreje të ekstremit të djathtë, Nides tha: “Nuk do të bëj deklarata të ashpra. Të presim se kush do të vijë në ministri dhe çfarë qëndrimesh do të marrin. Në këtë fazë duam të shohim se çfarë thonë dhe si veprojnë. Qeveria ende nuk është formuar. Do të përcaktojmë negociatat që mund të bëhen pasi të vendoset”.

Ai dëshiron të ketë marrëdhënie të fortë dhe të ngushtë me qeverinë e re dhe Benjamin Netanyahun.

“SHBA-ja do të mbrojë atë në të cilën beson. Ne jemi aleat shumë, shumë i fortë i Izraelit, por ka raste kur duhet të formulojmë se çfarë besojmë dhe cilat janë dallimet tona”, tha Nides.

Në lajmet e mëparshme, KAN njoftoi se Partia e Sionizmit Fetar kishte kërkuar aneksimin e territorit të Bregut Perëndimor nga lideri i Partisë Likud, Benjamin Netanyahu.

– Partitë “ekstremiste-raciste” fituan zgjedhjet në Izrael

Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të mbajtura më 1 nëntor në Izrael, blloku i krahut të djathtë i udhëhequr nga ish-kryeministri dhe lideri i opozitës, Benjamin Netanyahu fitoi duke siguruar 64 deputetë në Parlamentin prej 120 vendesh.

Sipas rezultateve, lista e formuar nga partitë Sionizmi Fetar dhe Forca Hebraike në bllokun e udhëhequr nga Netanyahu përfundoi e treta në garën zgjedhore me 14 deputetë.

Këto parti, të cilat janë kritikuar për retorikën e tyre diskriminuese dhe raciste ndaj grupeve opozitare dhe palestinezëve, pritet të kenë fjalën në qeverinë e re.

Mundësia e liderit të Forcës Hebraike, Itamar Ben-Gvir, i njohur për politikat e tij “ekstremiste-raciste”, për të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit që Netanyahu do të formojë, shkakton shqetësim për politikën palestineze të qeverisë së re.

I njohur për veprimet e tij provokuese të tilla si bastisjet në Mesxhid al-Aksa, Ben-Gvir është i njohur për promovimin e veprimeve të dhunshme nga kolonët ekstremistë hebrenj në Kudsin Lindor të pushtuar dhe Bregun Perëndimor.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re