Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha se mbështesin përpjekjet diplomatike të Turqisë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe përpjekjet e saj për të gjetur mënyrë për eksportimin e ushqimeve ukrainase.
Lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Turqi, Price tha se janë në dijeni të vizitës.
“Ne kuptojmë dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet diplomatike të aleatëve tanë turq për t‘i dhënë fund kësaj lufte, kryesisht për të reduktuar dhunën dhe në të njëjtën kohë për të gjetur mënyra për të lehtësuar eksportin e produkteve ushqimore ukrainase, përfshirë grurin ukrainas”, deklaroi Price.
– Kundërshtimi i Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë
Në pyetjen nëse është arritur apo jo ndonjë rezultat nga bisedimet e zhvilluara lidhur me kundërshtimin e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, Price tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka biseduar me homologun e tij finlandez. Pasi rikujtoi se edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të vizitojë Finlandën, zëdhënësi Price shtoi se një prej çështjeve kryesore të këtyre bisedimeve është anëtarësimi i këtij vendi në NATO.
“Nuk ka ndonjë ndryshim në vlerësimin tonë. Nuk ka asnjë ndryshim në besimin tonë se brenda aleancës së NATO-s ka një mbështetje të gjerë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë dhe se këto dy vende mund të pranohen në NATO sa më parë”, tha Price.
Duke shpjeguar se kundërshtimi i Turqisë për këto dy vende nuk është çështje dypalëshe e drejtpërdrejtë mes Ankarasë dhe Washingtonit, Price tha se kjo është një çështje e cila krahas zyrtarëve të Turqisë, Finlandës dhe Suedisë diskutohet edhe nga zyrtarët e lartë të NATO-s.
Ndërsa në pyetjen se çfarë nënkupton me afatin se këto vende do të pranohen në NATO “sa më parë”, Price u përgjigj se nuk mund të përcaktojë ndonjë kalendar për këtë por se dëshirojnë të shohin që ky proces diskutohet në mënyrën më të shpejtë të mundshme.
Price theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë konsultimet e saj për këtë çështje me Turqinë.
Burimi: AA


