Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka nisur sanksionin e dytë ndaj zyrtarëve të lartë, por kësaj here në radhët e politikës.

Siç mësohet nga burime diplomatike, prej disa kohësh po zbatohet një politikë strikte refuzimi vizash për një mase të konsiderushme zyrtarësh të lartë dhe familjarëve të tyre nga ambasada e SHBA.

Në vitin 2015, selia diplomatike e Uashingtonit e mori këtë masë për kupolën e drejtësisë shqiptare, ku i pari që u ndëshkua ishte Kryeprokurori i Përgjithshëm i kohës Adriatik Llalla dhe gjyqtarë e prokurorë të rëndësishëm.

Kurse tani po vihen në zbatim faza e dytë e planit, ç’ka parashikon sipas të gjitha gjasave një nisje hetimi të rëndësishëm nga organet ligjzbatuese shqiptare të mbështetura nga asistenca amerikane dhe ajo e BE-së.

Personat që u është refuzuar viza mësohet se janë pjesëtarë të lartë të administratës shtetërore, por edhe familjarë deputetësh nga të dy krahët e politikës shqiptare.

Deri tani ky lajm po mbahet in hold si nga ambasada ashtu edhe nga “viktimat” e fazës së dytë të planit amerikan. Por ka shumë gjasa që gjithçka të bëhet e ditur në ditët që vijnë.

Ky veprim duket një paralajmërim i hapur dhe sinjal i qartë që pas drejtësisë së vjetër kërkohet vënia dorë tek pjesa e kalbur e politikës.

Ka shumë gjasa që ky sinjal të jetë një thirrje për Arta Markun por edhe për Edi Ramën, që të largojë njerëzit me probleme nga qeveria dhe administrata e lartë.

Ky fakt ka dalë edhe në mbledhjen që Rama ka mbajtur si me ministrat në Vlorë ashtu edhe me krerët më të lartë të PS-së dhe ka shumë gjasa që të ketë edhe reperkursione të shpejta në politikën e lartë shqiptare pas kësaj mase të ambasadës amerikane.

Pritet që ky operacion të vazhdojë me refuzime edhe më të shumta, ndoshta edhe më të larta ndaj politikanëve shqiptarë. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re