Shtetet e Bashkuara e kanë dyfishuar shpërblimin për personat që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e akuzuar se ai është “njëri nga trafikuesit më të mëdhenj të narkotikëve në botë”. Shpërblimi u çua në 50 milionë dollarë. Presidenti amerikan, Donald Trump, është kritikues i vjetër i Maduros, i cili u rikthye në pushtet në janar pas zgjedhjeve të dyshimta për keqpërdorim të votave. Rezultatet e garës u hodhën poshtë gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, raporton televizioni BBC.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se lajmi për dyfishimin e shpërblimit për arrestimin e Maduros është “patetik” dhe “propagandë politike”.
Në atë kohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së kishte pretenduar se Maduro kishte punuar me grupin rebel kolumbian, Farc, për ta “shfrytëzuar kokainën si armë për t’i “vërshuar” Shtetet e Bashkuara”.
Në një video të publikuar në rrjetin X të enjten, Bondi e akuzoi Maduron për bashkërendim me grupet si Tren de Aragua – bandë venezuelase të cilën administrata e Trumpit e ka shpallur organizatë terroriste – dhe Karteli Sinaloa, rrjet i fuqishëm kriminal me bazë në Meksikë.
Kryeprokurorja amerikane pretendoi se agjencia amerikane kundër drogës, DEA, kishte “konfiskuar 30 tonë kokainë të lidhur me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, me gati shtatë tonë të lidhur me vetë Maduron”. Presidenti i Venezuelës në të kaluarën i ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se ai është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e drogës.



