Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të premten, kanë inkurajuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të miratojë një rezolutë që u bën thirrje autoriteteve të udhëhequra nga talibanët në Afganistan, të heqin kufizimet për gratë që punojnë për grupet e humanitare ose ndjekin universitetet dhe shkollat e mesme, thanë diplomatët.

 

Këshilli prej 15 anëtarësh u takua të premten më 13 janar – me kërkesë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Japonisë – për të diskutuar lidhur me vendimet e administratës së udhëhequr nga talibanët islamikë, e cila mori pushtetin në Afganistan, në gusht të vitit 2021.

 

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield i tha Këshillit se duke pasur parasysh peshën e situatës, duhet të miratohet unanimisht një rezolutë që dënon kufizimet dhe bën thirrje për anulimin e menjëhershëm të tyre, thanë diplomatët.

 

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse të gjithë anëtarët do ta mbështesnin një lëvizje të tillë formale nga Këshilli. Për miratimin e rezolutës janë të nevojshme nëntë vota pro dhe pa vetot nga Rusia, Kina, Britania, Franca apo Shtetet e Bashkuara.

 

Këshilli i Sigurimit me konsensus u pajtua lidhur me deklaratën jozyrtare të muajit të kaluar që bënte thirrje për pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplote të grave dhe vajzave në Afganistan, duke dënuar ndalimin e grave që të ndjekin universitetet ose të punojnë për grupe humanitare.

 

Përpara takimit të së premtes, 11 anëtarë të Këshillit të Sigurimit – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën – lëshuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje talibanëve të anulojnë të gjitha masat shtypëse ndaj grave dhe vajzave.

 

Administrata e udhëhequr nga talibanët, më 14 dhjetor, njoftoi ndalesën ndaj punonjëseve humanitare. Ky vendim erdhi pas ndalesës, në fillim të muajit të kaluar, për gratë që të ndjekin universitetet. Vajzave u është ndaluar ndjekja e shkollës së mesme, në muajin mars.

 

Kombet e Bashkuara kanë raportuar se 97 për qind e afganëve jetojnë në varfëri, dy të tretat e popullsisë kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar dhe 20 milionë njerëz përballen me urinë akute.

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell e përshkroi ndalimin e punonjëseve humanitare si “të gabuar dhe të rrezikshëm”, sipas komenteve të saj të përgatitura për një takim të Këshillit të Sigurimit, të premten, në të cilat Reuters ka pasur qasje.

 

“Nuk është hiperbolë të thuash se pa to do të humbasin jetë, do të vdesin fëmijët”, tha ajo.

 

Russell gjithashtu tha se UNICEF-i po shqyrton ndikimin e kësaj ndalese në punën e tij dhe se “me zhvillimin e situatës, do të duhet të marrim vendime të vështira lidhur me atë se cilat aktivitete mund të vazhdojmë dhe cilat duhet të pezullohen”./rel

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png