Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se ai nuk dëshiron të komentojë qëndrimin e Kinës për luftën Rusi-Ukrainë, por shtoi se ata ia kanë komunikuar në formën më të qartë mesazhin palës kineze në lidhje me këtë çështje.

Në konferencën e tij të përditshme për shtyp, Price tha se gjatë takimit të delegacionit amerikan me diplomatët kinezë në Romë, kryeqyteti i Italisë, ai ishte shumë i shqetësuar për mundësinë që udhëheqja e Pekinit të kompensonte humbjet e shkaktuara nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për luftën që Rusia i hapi Ukrainës më 24 shkurt, duke thënë se ai e ka paralajmëruar palën kineze se nëse ndodh një gjë e tillë Kinës do t’i duhet të paguajë një kosto të lartë.

Duke vënë në dukje se shumë vende kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe kanë kundërshtuar sulmin e Rusisë, Price tha se ata nuk po e shohin një deklaratë apo qëndrim të qartë nga Kina për këtë çështje.

“Ne ia kemi bërë të qartë Kinës se kemi shqetësime serioze për nismat e Kinës, për të bërë çdo lloj përpjekjeje për të kompensuar humbjet financiare dhe ekonomike të Rusisë ose për të ofruar mbështetje materiale për luftën e Rusisë dhe se në një situatë të tillë, jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), por edhe partnerët dhe aleatët tanë do ta detyrojnë Pekinin të paguajë një kosto të rëndë”, shpjegoi zyrtari amerikan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re