Policia në qytetin jugor amerikan Memfis, publikoi të premten një video ku tregohen pesë oficerë policie që rrahin për vdekje 29-vjeçarin afrikano-amerikan, Tyre Nichols, pas një ndalimi për shkelje rrugore.

 

Pamjet tregojnë se si oficerët e rrahin brutalisht zotin Nichols për tre minuta. Dy oficerë duket se e mbajnë atë në tokë, ndërsa të tjerët e shkelmojnë dhe e godasin me grushta. Të paktën njëri prej tyre përdor shkopin e gomës.

 

Në filmimet që zgjasin rreth një orë, të përpiluara nga kamerat e ndryshme që mbanin oficerët në trup, zoti Nichols dëgjohet ndërsa thërret nënën e tij.

 

Qyteti Memfis dhe qytete të tjera amerikane po përgatiten për protesta të mundshme pasi policia njoftoi se do t’i bënte publike pamjet filmike nga momentet e rrahjes. Familja Nichols ka bërë thirrje që protestat të mbeten paqësore.

 

Sulmi ndaj zotit Nichols ndodhi më herët këtë muaj, pasi policia në qytetin Memfis, të shtetit Tenesi, e ndaloi për shkelje të rregullave në drejtimin e mjetit. Zoti Nichols vdiq nga lëndimet tre ditë më vonë.

 

Oficerët e policisë, që ishin të gjithë afrikano-amerikanë, u akuzuan të enjten për vrasje të shkallës së dytë dhe disa akuza të tjera penale. Të gjithë oficerët janë shkarkuar.

 

Duke folur të premten nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden tha se ishte “shumë i shqetësuar” për mundësinë e dhunës pas publikimit të filmimeve.

 

Ai tha se pati biseduar më herët sot me nënën e zotit Nichols dhe se do t’i bëjë thirrje Kongresit të miratojë legjislacion për t’iu kundërvënë dhunës nga policia.

 

Nëna e zotit Nichols, RowVaughn Wells, bëri thirrje të enjten që protestat të ishin paqësore./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re