Skip to content

SHBA rigodet Dodikun famëkeq, sinjal për Berishën?

Kreu i Republika Srspka në Bosnje, Milorad Dodik, pos vulës “non grata”, edhe u sanksionua së fundi nga Departamenti i Shtetit.

Ndodh kjo teksa tensionet në Bosnje, me protagonist pikërisht këtë njeri, janë shtuar së tepërmi, deri në frikën e një konflikti të ri, pasi llogaritet që Dodik po tenton ndarjen e Bosnjes.

Informacioni është publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Tregtisë së SHBA-së.

Në listë, po nga rajoni, është edhe një media serbe, Televizioni Alternativ në Banja Luka.

Qeveria amerikane, më saktë Ministria e saj e Financave, filloi në dhjetor me vendosjen e sanksioneve për njerëzit nga Ballkani Perëndimor.

Sipas tyre, këto veprime janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 13818, i cili bazohet dhe zbaton Ligjin Global për Përgjegjësinë për të Drejtat e Njeriut – Magnitsky, dhe synon ata që janë përgjegjës për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efekte masive destabilizuese mbi shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike,” tha Andrea M. Gacki, ish-kreu i Zyrës së Kontrollit të Pronës së Huaj.

Sanksionet e SHBA bllokojnë kryesisht pronën e individëve në listë dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Po çfarë thuhet konkretisht për politikanin problematik serb?

“Dodik bënë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe krijimin e institucioneve paralele në Bosnje nëpërmjet Republikës Srpska”, thuhet në shpjegim.

“Për më tepër, Dodik përdor pozicionin e tij zyrtar për të grumbulluar pasuri personale përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij etnonacionaliste e ndarjes pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të larguar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjes dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, duke rrezikuar kështu paqëndrueshmëri më të gjerë rajonale”.

Shpjegimi përfshin edhe deklaratën e nënsekretarit të Ministrisë së Financave, Brian E. Nelson.

“Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të rrezikuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, të motivuara nga interesat e tij, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjes dhe të gjithë rajonit,” tha Nelson.

Ndërsa për Televizionin Alternativ, auroritetet amerikane shprehen se është në pronësi të një kompanie të lidhur ngushtë me familjen e Dodikut. Por, shtohet, në prapaskenë, vetë Dodik ushtron kontroll personal mbi ATV-në, për shembull, duke miratuar histori mediatike që lidhen me tema të ndjeshme politikisht.

“Dodik ka aktivizuar ATV për të avancuar qëllimisht dhe në mënyrë eksplicite axhendën e tij, e cila përfshin përpjekjet e tij për të nxirë figurat e tjera politike, për të zbutur imazhin e tij publik dhe për të avancuar qëllimet e tij personale dhe politike”.

Ndërkohë, kujtojmë se rasti “Dodik” është përdorur nga kampi politiko-mediatik në mbrojtje të Berishës, si një arsyetim i vijimit të aktivitetit politik të këtij të fundit, me synimin për rimarrjen e PD-së, pse jo, edhe qeverisjes, paçka shpalljes “non grata”. Kjo për faktin se autoritetet amerikane e takojnë Dodikun edhe pse mban vulën e personit “non grata”.

Por ambasadorja Yuri Kim, në një shpjegim të saj, tha se dy rastet nuk mund të krahasohen, pasi Dodik, për vetë pozicionin e tij në Presidencën trepalëshe boshnjake, s’mund të anashkalohet.

Ndërkohë, kjo vendimmmarrje amerikane mund të shërbejë dhe si një paralajmërim për Berishën, i cili vijon të sfidojë SHBA-të në aksionet e tij politike dhe ligjërimin politik.