Tensionet mes Moskës, Kievit dhe Uashingtonit lidhur me spekulimet se presidenti rus Vladimir Putin po përgatit një pushtim të Ukrainës nuk po qetësohen.

Dhe tani inteligjenca amerikane ka publikuar gjetjet e saj mbi planet e Rusisë për një ofensivë që do të kryhet në fronte të shumta, me deri në 175,000 trupa – ndoshta që në fillim të vitit të ardhshëm.

Një dokument inteligjence me një hartë të një pushtimi të mundshëm, i titulluar “Potenciali për 175,000 forca ruse pranë Ukrainës: dëshmi e planifikimit dhe lëvizjes së fundit të artilerisë, pajisjeve dhe fuqisë punëtore”, u mor dhe u publikua nga Washington Post, për të cilin gjithashtu mori konfirmim nga zyrtarët amerikanë.

Natyrisht, dihet prej disa kohësh se Rusia ka grumbulluar forca përgjatë kufirit me Ukrainën – qoftë kufiri “i vjetër”, përgjatë provincës lindore të Ukrainës të Donbasit, e cila kontrollohet nga separatistët rusë për shtatë vjet, ose ” e ri”, krijuar nga pushtimi rus dhe aneksimi i mëvonshëm i gadishullit të Krimesë.

Sipas ushtrisë ukrainase, numri i trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas është aktualisht rreth 94,000 – që ndoshta nuk mjafton për një pushtim të suksesshëm, por mund të jetë baza për përgatitjen për një pushtim në një kohë shumë të shkurtër.

Në të njëjtën kohë, Moska kërkon nga Uashingtoni një garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se aleanca do të përmbahet nga disa aktivitete ushtarake në dhe rreth territorit ukrainas që Kremlini i konsideron si kërcënim.

Javën e kaluar, Putin tha se Rusia gjithashtu ka “vijën e saj të kuqe”, d.m.th se do të detyrohet të veprojë nëse NATO, e udhëhequr nga SHBA, vendos raketa në Ukrainë që gjoja mund të godasin Moskën brenda pak minutash.

“Ne kemi nevojë për garanci të sakta ligjore, sepse kolegët tanë perëndimorë nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre përkatëse gojore,” tha presidenti rus, duke shtuar se “të gjithë e dinë se janë dhënë garanci gojore për moszgjerimin e NATO-s në lindje (pas rënies së BRSS). Ata bënë pikërisht të kundërtën”.

Uashingtoni, i cili ka kërcënuar me “pasoja të rënda” në rast të një pushtimi rus, shpreson të qetësojë tensionet dhe të arrijë një lloj marrëveshjeje me Moskën në një takim virtual midis Putinit dhe Biden-it, të planifikuar për të martën.

Vetë Biden e ka paralajmëruar tashmë publikisht Putinin që të mos ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë dhe njoftoi nisma të reja për të mbrojtur vendin e Evropës Lindore.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re