Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive, të cilat po shkelnin çmimin tavan të vendosur vitin e kaluar nga shtetet perëndimore ndaj naftës ruse.

 

Anijet në pronësi të kompanive me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi thuhet se kanë shkelur çmimin tavan të vendosur në dhjetor nga shtetet që bëjnë pjesë në Grupin e Shtatë shteteve më të industrializuara (G7), Bashkimi Evropian dhe Australia.

 

Koalicioni vendosi çmimin tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e papërpunuar ruse, me synim që të kufizojë të ardhurat e Moskës nga nafta, para që Rusia mund t’i shfrytëzojë për të financuar pushtimin e saj të Ukrainës.

 

Anija në pronësi të Lumber Marine, me seli në Emirate, u gjet se ka shkelur politikën e çmimit tavan, tha Departamenti amerikan i Thesarit. Kjo anije ka transportuar naftë të papërpunuar me origjinë ruse në vlerë prej mbi 75 dollarë për fuçi, tha Thesari përmes një deklarate më 12 tetor.

 

SHBA-ja tha se po ashtu ka sanksionuar korporatën Ice Pearl Navigation me seli në Turqi, pasi tha se një anije e saj kishte transportuar naftë të papërpunuar me një çmim prej më shumë se 80 dollarë për fuçi.

 

Çmimi tavan ndalon kompanitë perëndimore që të ofrojnë shërbime detare sikurse sigurimi i anijeve, financimi dhe transportimi i eksporteve të naftës ruse me çmim prej më shumë se 60 dollarë për fuçi. Koalicioni ka zbatuar këto sanksione për të kufizuar të ardhurat e Rusisë dhe në të njëjtën kohë duke lejuar që nafta ruse të arrijë në tregje./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re