Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, ka dhënë deklarata të forta mbi ecurinë e hetimeve të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ngjela nënvizoi se struktura e posaçme nuk mund të gabojë apo të ndikohet, pasi gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të partnerëve ndërkombëtarë, duke u shprehur: “SPAK nuk gabon. Kontrollohet nga jashtë. Pse nuk vepron SPAK është pyetja. Nuk e ka të lehtë. SPAK nuk janë njerëz të zakonshëm. Kanë ekspertët amerikanë juridikë. Nuk mund të goditet aq kollaj Shqipëria sepse ka mbrojtje.”
Duke u ndalur te pozita e të prekurve nga hetimet dhe te përfshirja e nivelit më të lartë të ekzekutivit, Ngjela theksoi se pushteti është i vetëdijshëm për fundin që e pret. “Të gjitha këto që ndodhin nuk është se nuk i di ai që na drejton. Kur u vu SPAK, tha Biden do t’i heqim korrupsionin Shqipërisë. Balluku nuk shpëton dot, asnjë nuk shpëton dot. Krejt e pamundur”, deklaroi prerazi avokati gjatë intervistës.
Lidhur me ritmin e veprimeve të drejtësisë, Ngjela sqaroi se vonesat lidhen vetëm me blindimin ligjor të dosjeve përpara se të ndërmerren hapat zyrtarë. “SPAK nuk vepron pa prova. SPAK nuk ka krijuar ende ekuacionin e saktë të provave dhe ndaj po vonon, sipas meje. Por që hetimet vijojnë, kjo nuk diskutohet. E keni parë sa ministra dhe ish-kryeministra ka në proces penal”, përfundoi Ngjela, duke nënvizuar se cikli i pandëshkueshmërisë për kabinetin qeveritar ka marrë fund.
