Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se SHBA-ja është “thellësisht e shqetësuar” nga vendimi i Izraelit për të zgjeruar në mënyrë dramatike rrjetin e tij të vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Qeveria izraelite të dielën ndërmori masa për të avancuar vendbanime të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe filloi procesin për legalizimin retroaktiv të nëntë posteve të kolonëve që më parë ishin të paligjshme sipas ligjit izraelit.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se administrata e presidentit Joe Biden “fuqishëm kundërshton masat e njëanshme”, të cilat siç tha ai, “përkeqësojnë tensionet dhe minojnë perspektivat për një zgjidhje të negociuar me dy shtete”.

“Çdo gjë që na largon nga vizioni i dy shteteve për dy popuj është e dëmshme për sigurinë afatgjate të Izraelit, identitetin e tij si një shtet hebre dhe demokratik, si dhe për vizionin tonë për masa të barabarta sigurie, lirie, prosperiteti dhe dinjiteti për izraelitët dhe palestinezët”, tha Blinken.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të “shmangin veprimet shtesë që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon dhe të ndërmarrin hapa në praktikë që mund të përmirësojnë mirëqenien e popullit palestinez”.

Vlerësimet e Kombeve të Bashkuara (OKB) tregojnë se rreth 700 mijë kolonë jetojnë në një rrjet të përhapur vendbanimesh dhe poste në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme dhe OKB-ja ka deklaruar se zgjerimi i tyre “shkel” ligjin për të drejtat e njeriut.

Vendbanimet janë ndërtuar në tokat që palestinezët po i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re