Skip to content

SHBA/ Trump autorizon Pompeon për të bërë presion ndaj Iranit

Pretendohet se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i dha “dritë jeshile” Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo për të bërë presion ndaj Iranit aq sa të dëshiron, por me kusht që të mos shkaktojë Luftën e 3-të Botërore.

Duke u bazuar në disa zyrtarë amerikanë, të cilët u prononcuan në kushte anonimiteti për faqen amerikane të lajmeve “Daily Beast”, Trump u dha “kredi të gjerë” diplomatëve përkatës dhe këshilltarëve të ngushtë, veçanërisht Pompeos, në lidhje me Iranin.

Në lajm thuhet se Trump u përqendrua në rezultatet e zgjedhjeve gjatë javëve të fundit dhe nuk ka qenë shumë i interesuar në politikën e jashtme, ndërsa çështjen e Iranit ia la tërësisht dhe veçanërisht Pompeos.

Sipas dy zyrtarëve të lartë, të cilët bënë të ditur se ishin dëshmitarë të takimeve të Trumpit me Pompeon, “Presidenti Donald Trump e autorizoi Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo për të bërë presion ndaj Iranit aq sa të dëshiron, por me kusht që të mos shkaktojë Luftën e 3-të Botërore”.

Në lajm thuhet se administrata Trump pritet të shpallë sanksione të reja ekonomike dhe të marrë hapa për të vënë në vështirësi ekonominë e Iranit përpara se të dorëzojë presidencën më 20 janar tek Joe Biden, i cili fitoi zgjedhjet.

Gjithashtu pretendohet që shërbimet informative izraelite dhe amerikane mund të jenë përfshirë në vrasjen e shkencëtarit iranian Muhsin Fahrizade.

Sipas të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronot”, Kryeministri Benyamin Netanyahu, në një konferencë për shtyp mbi këtë çështje, theksoi se Izraeli luajti rol në vrasjen e Fahrizades.

Ndërkaq në vend që të përgjigjej menjëherë, Irani bëri deklarata që nënkuptonin se do të priste që administrata e Joe Biden të vinte në krye të detyrës.