Në Washington të SHBA-së, turqit ujgurë protestuan kundër politikave të administratës së Pekinit në Ditën Kombëtare të Kinës.

Një numër i madh i turqve ujgurë u mblodhën përpara memorialit ‘Lincoln’ dhe me pankarta në duar shprehën reagimet e tyre kundër praktikave të Kinës.

Me çadra blu në duar turqit ujgurë brohoritën me sloganet “Jo gjenocidit”, “Tani drejtësi” dhe “Dëgjoni zërin e ujgurëve”. Ata gjithashtu bënë thirrje që edhe SHBA-ja edhe komuniteti ndërkombëtar të ngrenë zërin e tyre kundër Kinës.

Anëtarja e Kongresit Amerikan, Vicky Hartzler e cila mori pjesë në protestë tha se kompanitë amerikane duhet të heqin rajonin ujgur nga rrjeti i zinxhirit furnizues.

Tom Suozzi, një tjetër anëtar i Kongresist tha se mbështet me të gjithë fuqinë e tij turqit ujgurë.

Anëtari i Komisionit Amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Nury Turkel deklaroi se “I gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë kundër praktikave gjenocid të Kinës”.

Aktivistja turke ujgure, Rabia Kadir duke iu drejtuar administratës amerikane dhe Kongresit i bëri thirrje që të mbështesin turqit ujgurë.

Praktikat e Kinës në rajonin autonom ujgur Xinjiang

Shkeljet e Kinës në vitet e fundit ndaj identitetit dhe kulturës së turqve ujgurë kritikohen nga opinioni ndërkombëtar.

Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 1 milion turq ujgurë parashikohet se mbahen në vende të cilat Pekini i emërton si “qendra të arsimit profesional” ndërsa opinioni ndërkombëtar i definon si “kampe të riedukimit”.

Qeveria e Pekinit nuk jep informacione lidhur me numrin e kampeve që ndodhen në rajonin autonom ujgur Xinjiang, se sa persona qëndrojnë këtu dhe se sa persona janë rikthyer në jetën sociale.

Mos ndarja e të dhënave të qarta rreth situatës së kampeve që Kina pretendon se ofron kurse për gjuhën kineze, kurse profesionale dhe kulturore për ujgurët muslimanë që jetojnë në rajon, shkakton shqetësime të thella në opinionin ndërkombëtar.

Rikujtohet se 22 vende anëtare të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nënshkruan në korrik 2019 deklaratën e cila bën thirrje për ndalimin e arrestimeve masive dhe që kritikon trajtimin e Kinës kundër turqve ujgurë dhe pakicave të tjera në rajonin autonom ujgur Xinjiang.

OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë ripërsëritur thirrjen e tyre për lejimin e vëzhgimit të kampeve, ndërkohë që Kina deri më tani ka lejuar një numër të vogël të diplomatëve të huaj dhe disa gazetarë që të shikojnë vetëm disa kampe që ajo vet i ka përcaktuar. Autoritetet kineze kanë refuzuar kërkesat e zyrtarëve të OKB-së për të vëzhguar lirisht në rajon me qëllimin për të marrë informacione të drejtpërdrejta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re