Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar anëtarët e familjeve të diplomatëve dhe stafin në Ambasadën e SHBA në Kiev të largohen nga Ukraina.

Për shkak të “kërcënimit të vazhdueshëm të veprimit ushtarak rus”, qytetarët amerikanë në Ukrainë “duhet të konsiderojnë largimin tani duke përdorur opsione të tjera transporti komercial ose privat,” tha Departamenti i Shtetit i SHBA në një këshillë të përditësuar për udhëtime të publikuar të dielën mbrëma.

Departamenti i Shtetit iu referua paralajmërimit të javës së kaluar të Shtëpisë së Bardhë se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo moment.

Qytetarët amerikanë u këshilluan gjithashtu të mos udhëtonin në gadishullin e Krimesë të Detit të Zi ose në provincat separatiste pro-ruse të Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore.

Nga ana tjetër, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov tha se një dërgesë e dytë armësh nga Shtetet e Bashkuara kishte mbërritur në vend si pjesë e ndihmës mbrojtëse prej 200 milionë dollarësh.

Uashingtoni ka thënë se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën mes shqetësimeve në Kiev dhe mes aleatëve të saj perëndimorë për dhjetëra mijëra trupa ruse të vendosura përgjatë kufirit të Ukrainës.

“Më shumë se 80 tonë armë për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara. Dhe ky nuk është fundi,” shkroi Reznikov në Tëitter.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se i ishte mirënjohës homologut të tij amerikan Joe Biden për ndihmën e paprecedentë diplomatike dhe ushtarake.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re