Administratorët lokalë dhe federalë të shtetit të New Mexico në SHBA shprehën ngushëllimet e tyre për komunitetit musliman duke bërë të ditur se një person i dyshuar 51-vjeç u identifikua dhe u kap për vrasjen e 4 muslimanëve në Albuquerque gjatë 9 muajve të fundit.

Në një deklaratë për media nga Departamenti i Policisë në Albuquerque thuhet se 51-vjeçari Mohammed Syed u arrestua në lidhje me vrasjen e Aftab Hussein më 26 qershor dhe Mohammed Afzaal Hussain më 1 gusht. Gjithashtu theksohet se mund të jetë vrasësi i njëjtë i Naeem Hussain dhe Mohammad Zaher Ahmadi, të cilët janë vrarë më parë në të njëjtën zonë.

Policia njoftoi se gëzhojat e plumbave të gjetura në vendin ku u vranë Aftab Hussein dhe Muhammed Afzal Hussain ishin në përputhje me pistoletën e gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë së Syed. I dyshuari dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin dhe se ende nuk ka informacion të qartë për motivin e vrasjes.

Shefi i policisë, Harold Medina falënderoi komunitetin musliman për bashkëpunimin në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen. Ai tha se ekipet e patrullës do të jenë më të dukshme në zonat ku janë të përqendruar muslimanët në mënyrë që ata të ndjehen të sigurt deri në zbardhjen e plotë të incidentit.

Guvernatorja e New Mexico-s, Michelle Lujan Grisham tha se ka ende shumë për t’u sqaruar. “Të gjitha burimet shtetërore do të mobilizohen derisa secili anëtar i komunitetit, veçanërisht komuniteti musliman, kudo që të jetë në shtet, të sigurohet për sigurinë e tyre”.

Kryebashkiaku Tim Keller, i pranishëm në deklaratën për media vuri në dukje rolin pozitiv që luan marrëdhëniet e ngushta të punonjësve të rendit me komunitetin në arrestimin e kriminelëve dhe u shpreh se komuniteti musliman ka kontribuar shumë në arrestimin e të dyshuarit.

Prokurori i qarkut, Albuquerque, përfaqësuesi i FBI-së dhe disa administratorë lokalë iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të mediave se si do të funksiononte procesi tani e tutje.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re