Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se zgjedhjet për guvernatorë të shteteve federale në Venezuelë, nuk janë as të lira e as të drejta.
Sipas lajmit të BBC-së, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka thënë se “Dënojmë zgjedhjet jo të drejta dhe jo të lira në Venezuelë”, duke shprehur se “Në këto zgjedhje nuk është dëgjuar zëri i popullit”.
Nauert tha se në minutat e fundit të këtyre zgjedhjeve janë bërë ndryshime në qendrat e votimeve po njoftime zyrtare, se kutitë e votimeve janë manipuluar dhe se në rajonet ku opozitarët janë të fuqishëm kishte qasje të kufizueshme në mjetet e votimit.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit po ashtu vuri theksin në “mungesën e vëzhguesve të sigurtë dhe të pavarur”.
Në zgjedhjet për zgjedhjen e 23 guvernatorëve në Venezuelë, Socialistët fituan shumicën e votave në 17 prej 22 shteteve federale.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro në një deklaratë për televizionin publik, rezultatet i vlerësuar si “Fitorja e Chavez-it tonë” dhe i kishte bërë thirrje opozitës që t’i pranojë ato”.
Në anën tjetër koalicioni i partive opozitare Aleanca e Tryezës së Rrumbullakët e Unitetit Demokratik (MUD) deklaroi se dyshojnë se votat nuk janë numëruar në mënyrë të drejtë.
Menaxheri i fushatës së MUD-së, Gerardo Blyde tha se aleanca nuk pranon rezultatet dhe se do të kërkojë revizion të pavarur të zgjedhjeve.
Sondazhet në Venezuelë tregonin se opozita do të fitonte në 11 deri në 18 shtete federale.
Pritet që këto zgjedhje të rrisin grindjet aktuale mes qeverisë dhe opozitës në vend.
Zgjedhjet në Venezuelë janë mbajtur pas protestave disamujore të opozitës e cila e akuzon Maduron për rrënimin e demokracisë dhe vendosjen e diktaturës.
Protestat edhe më tej zgjasin, ndërsa deri më tani gjatë trazirave nëpër rrugë jetën e kanë humbur të paktën 125 persona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re