Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov, në një bisedë telefonike kanë diskutuar korridorin e sigurisë të formuar nga marrëveshja e drithërave në Detin e Zi.

Sipas burimeve diplomatike, Çavuşoğlu dhe Lavrov gjithashtu diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajonin e Kaukazit, si dhe takimin e platformës trepalëshe rajonale të bashkëpunimit të mbajtur sot në qytetin rus Sochi midis liderëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Gjatë takimit, presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, shqyrtuan zbatimin e marrëveshjes trepalëshe mbi Karabakun, të nënshkruar në vitin 2020 dhe 2021, si dhe hapat e mëtejshme për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Kaukazin jugor.

Biseda telefonike midis shefave të diplomacisë turke dhe ruse vjen pasi Rusia të shtunën njoftoi pezullimin e saj të marrëveshjes së eksportit të drithërave në Detin e Zi, të ndërmjetësuar nga dhe Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB).

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja u formua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat e drithërave.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se që nga 1 gushti mbi 9.2 milionë tonë drithëra janë transportuar përmes 408 anijeve në kuadër të marrëveshjes, përfshirë grurë, misër dhe elb.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re