Zbardhen të tjera detaje nga dosja e SPAK për ish-zv.ministren e Brendshme Rovena Voda, ndaj të cilës u vendos dje arrest për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Dyshohet se ajo ka marrë ryshfet nga dy shtetase, Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.

Një hetim i nisur ka nisur në 2019-ën për një tjetër çështje ku ka rënë në përgjim avokatja Majlinda Hasani, e cila ushtron profesionin në Durrës. Në 13 shkurt 2020 avokatja, Florida Beu dhe Rovena Voda zhvillojnë një takim me njëra-tjetrën.

Mësohet se Beu i ka kërkuar nga zëvendësministrja që ta favorizojë për t’u punësuar. Voda ka thënë se “shefe nuk e bën dot, por mund ta rregullojë si specialiste”.  Rovena Voda ka telefonuar një person në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do ta rregullojë specialiste.

Majlinda ka folur me Floridën dhe sipas Prokurorisë i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf. Pas këtij momenti, Florida i thotë Majlindës: “më ngeli mendja mos duheshin më shumë para. Se të paktën të na fuste në një vend të mirë”.

Pas këtij momenti Majlinda dëgjohet duke thënë se “leku e hedh ujin përpjet”, e se “tani Rovena na përgjigjet menjëherë”.

Në 28 shkurt 2020, tre gratë janë takuar dhe Florida Beu ka aplikuar në 11 vende punë të hapura në Ministri. Florida ka telefonuar nënën e saj dhe i ka thënë “me lekët që do më sjell Gerti do i jap diçka asaj Rovenës që e ndjej si detyrim”

Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë peshk. Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marr dhe një aparat telefon. Sipas verifikimeve, Florida Beu, nuk u shpall fituese në asnjë nga vendet ku aplikoi.(panorama.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re