Edhe pse Kuvendi pas një seanca maratonike të mbajtur të hënën tregoi se partitë janë larg një konsensusi për fazën finale të dialogut me Serbinë, shefi i delegacionit të palës kosovare për dialog teknik, Avni Arifi, beson se spektri politik do ta arrijë unitetin për këtë proces.

Ai, përmes një postimi në llogarinë e vet në Facebook, ka shkruar se Kosova sot është shumë më e fortë se në vitin 1999.

“Në përfundim të debatit parlamentar për dialog mund të themi se Kosova e din çka do. Kosova sot është shumë më e fortë se në vitin 1999. Ka të tillë që po na thonë se bota ka ndryshuar se nuk është viti 1999 dhe tjera kohë janë tash. Unë besoj se kjo është e vërtetë por për këtë duhet të jemi të lumtur. Jemi shtet i njohur nga 116 shtete të botës me institucione dhe struktura shtetërore që pavarësisht nga mungesat janë jo aq keq të konsoliduara. Jemi mirë, do të gjejmë unitetin e kërkuar dhe Kosova prapë do të triumfojë”, shkruan Arifi.

Kujtojmë se në seancën e djeshme ndërsa kryeministri u bëri ftesë opozitarëve të përfshihen në dialog, këta të fundit paraqitën tre propozime.

Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit, si nismëtare e këtij debati, përmes një rezolute mes tjerash kërkon që Kuvendi të marrë rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë, duke ia kontestuar rolin Thaçit.

LDK-ja e ka propozuar që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mënyrë që të fitohet një legjitimitet i plotë përfaqësues.

Ndërkaq Vetëvendosje ka propozuar që të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë, ngase sipas saj, aktualisht në dialog po negociohen çështjet e brendshme të Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re