Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, do të udhëtojë në Indonezi për të marrë pjesë në takimin e shefave të diplomacisë të G20-tës, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për media në Moskë tha se Lavrov do të zhvillojë disa bisedime dypalëshe në margjinat e takimit, që është takim përgatitor për samitin e G20-tës në nivel presidencial.

Konkretisht, shtoi Zakharova, Lavrov do të takohet me homologët e tij kinez, afrikano-jugor, brazilian dhe meksikan, si dhe me lidershipin e organizatave ndërkombëtare të ftuara.

Ajo po ashtu njoftoi se më 22 dhe 23 qershor Lavrov do të realizojë një vizitë në kryeqytetin Teheran të Iranit, ku fokusi do të jetë në rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Siç tha Zakharova, në rendin e ditës po ashtu do të jetë edhe situata në Ukrainë, Siri, Afganistan, Kaukazin Jugor, Jemen dhe rreth Detit Kaspik.

Duke folur për polemikën rreth eksportit të drithit nga Ukraina, Zakharova tha se Rusia nuk e pengon në asnjë mënyrë dërgesën e ushqimit. Ajo tha se deklaratat perëndimore për këtë janë gënjeshtra.

Zakharova tha se vagonët e zbrazur nga armët perëndimore në Ukrainë mund të mbushen me grurë. Ajo pretendoi se portet e Detit të Zi janë minuar nga ushtria ukrainase.

Duke folur për ndalimin e Lituanisë për tranzitin e një numri të madh mallrash ruse në rajonin e saj Kaliningrad, Zakharova tha se Moska njoftoi Bashkimin Evropian (BE) dhe Vilniusin për domosdoshmërinë e revokimit të vendimit, përndryshe përgjigja e Rusisë “nuk do të jetë diplomatike, por praktike”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re