Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka theksuar se Greqia nuk duhet të provokohet nga të tjerët kundër Turqisë.

Duke theksuar se Turqia gjithmonë ka besuar në një zgjidhje paqësore në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, Akar tha se Ankaraja favorizon dialogun me Athinën.

Ai këto komente i bëri pas një takimi me ministrin e mbrojtjes së Gjeorgjisë, Juansher Burchuladze dhe ministrin e mbrojtjes së Azerbajxhanit, Zakir Hasanov.

Duke iu referuar një incidenti të fundit në të cilin anija greke e shpimit ‘Nautical Geo’ u ndalua derisa përpiqej të shkelte kuadrin kontinental turk, Akar theksoi se Greqia vazhdon të përfshihet në provokime dhe shkelje pavarësisht paralajmërimeve të Turqisë.

Megjithëse Turqia favorizon dialogun dhe një zgjidhje paqësore, tha Akar, ajo nuk do të lejojë që të shkelen të drejtat e saj dhe të Qipros Turke.

Gjithashtu duke komentuar mbi blerjet e fundit të armëve nga Greqia, Akar përsëriti se Greqia nuk duhet të lejojë që disa vende ta provokojnë atë kundër Turqisë, duke theksuar se veprimet e këtilla nuk do t’i sjellin dobi Turqisë.

Akar tha se Turqia nuk ka qenë kurrë një kërcënim për asnjë palë, por përkundrazi gjithmonë ka qenë një aleat i besueshëm, i fortë dhe efikas.

Turqia, e cila ka bregdetin më të gjatë kontinental në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës së Qipros Greke, duke theksuar se pretendimet e tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Liderët turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të mira fqinjësore, dialogut dhe negociatave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re