Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij grek, Nikolaos Panagiotopoulos, ka bërë të ditur se Türkiye ka shprehur dëshirën e saj për t’i bërë Egjeun dhe Mesdheun “dete të miqësisë dhe solidaritetit”.

Akar dhe Panagiotopoulos vizituan provincën jugore Hatay, e cila u godit nga tërmeti i 6 shkurtit. Pas vizituan rajonin, ministri turk tha se vendi i tij “po përpiqet” të ketë marrëdhënie të mira me fqinjin e saj Greqinë.

Akar tha se ka “disa probleme” midis dy vendeve, duke theksuar se, “Si dy vende të civilizuara, Türkiye dhe Greqia mund t’i trajtojnë këto probleme në përputhje me frymën e aleancave, nëpërmjet një mënyre paqësore, respektit të ndërsjellë dhe dialogut”.

Ai shtoi se besojnë se “kjo do të ishte me dobi reciproke”. Ai po ashtu tha se problemet dhe miqësia e dy vendeve janë “shumë-dimensionale”.

Më tej, Akar tha se Türkiye pret vazhdimin e qëndrimit aktual, atmosferës pozitive dhe konstruktive që doli në pah pas tërmeteve masive. Ai gjithashtu kërkoi që të mbahen të hapura dyert e dialogut.

“Është dëshira jonë e sinqertë që Egjeu dhe Mesdheu të bëhen tani dete të miqësisë, me shfaqjen e bashkëpunimit të përhershëm. Kështu, pika kryesore, dëshira jonë është që njerëzit që jetojnë në Türkiye dhe Greqi të jetojnë në rehati, siguri dhe prosperitet”, tha Akar.

Ministri turk falënderoi homologun e tij grek dhe vendin e tij për solidaritetin dhe “interesimin e ngushtë” të treguar pas tërmeteve.

Panagiotopoulos, nga ana e tij, shprehu vullnetin për të vendosur stabilitet në marrëdhëniet dypalëshe dhe tha se tragjeditë si tërmetet tregojnë “sa të vogla” janë problemet ekzistuese midis Greqisë dhe Türkiyes.

“Kur vëzhgohen nga një këndvështrim tjetër, ne shohim se këto tragjedi dhe fatkeqësi në fakt veprojnë si një katalizator në drejtim të uljes së tensioneve”, shtoi ai.

Ministri grek po ashtu shprehu gatishmërinë për të “bërë më të mirën” për ta çuar më tej me “mjetet e mundshme” stabilitetin, solidaritetin dhe bashkëpunimin midis Türkiyes dhe Greqisë.

“Kohëve të fundit, bota është përballur me sfida në aspektin e sigurisë”, theksoi ai, duke shtuar se të dy vendet duhet të punojnë së bashku kundër sfidave të tilla të sigurisë.

Më 6 shkurt, dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë goditën 11 provinca turke. Rreth 14 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re