Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për hetime të pavarura për vrasjen e mbi 400 civilëve në një qytet ukrainas pas tërheqjes së trupave ruse atje.

“Jam thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në Bucha të Ukrainës. Është thelbësore që hetimet e pavarura të çojnë në llogaridhënie efektive”, shkroi Guterres në Twitter.

Më herët gjatë ditës, trupat e të paktën 410 civilëve u gjetën në qytetin Bucha pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës.

Të dielën, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi se trupat e saj kanë vrarë civilë gjatë tërheqjes nga qytetet afër Kievit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të dërgojnë ekspertë në vend sa më shpejt të jetë e mundur për të mbledhur prova të krimeve të luftës të kryera nga trupat ruse.

Të shtunën, Mikhail Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se trupat e njerëzve me duart të lidhura dhe të vrarë nga trupat ruse “shtrihen në rrugë” në Bucha.

Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimin Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.417 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.038 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 4,1 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re