Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka shprehur shqetësimin se rreziku i përshkallëzimit në Rripin e Gazës mes sulmeve izraelite mund të shkojë përtej rajonit.

“Unë mbetem thellësisht i shqetësuar për rrezikun e një përshkallëzimi të rrezikshëm përtej Gazës dhe u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale për të shmangur një zjarr më të gjerë”, tha Guterres në një deklaratë me shkrim.

Guterres tha se është i “alarmuar nga intensifikimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze në Gaza.

“Kjo përfshin zgjerimin e operacioneve tokësore nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit të shoqëruara me sulme ajrore intensive dhe sulmet e vazhdueshme me raketa drejt Izraelit nga Gaza”, tha ai.

Duke deklaruar se civilët kanë mbajtur peshën kryesore të luftimeve që nga fillimi, Guterres tha se mbrojtja e civilëve nga të dyja palët është “parësore dhe duhet të respektohet në çdo kohë”.

Shefi i OKB-së përsëriti dënimin e tij për sulmet e 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

“Nuk ka justifikim për vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e civilëve. Unë bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të atyre civilëve të mbajtur peng nga Hamasi”, tha Guterres.

Ai dënoi vrasjen e civilëve në Gaza dhe tha se është i “tronditur” nga raportet se dy të tretat e atyre që janë vrarë janë gra dhe fëmijë.

“E drejta ndërkombëtare humanitare vendos rregulla të qarta që nuk mund të shpërfillen. Nuk është një meny ‘a la carte’ dhe nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive. Të gjitha palët duhet t’i përmbahen asaj, duke përfshirë parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake”, tha ai.

Ai paralajmëroi se përshkallëzimi vetëm sa shton vuajtjet e jashtëzakonshme të civilëve.

“Niveli i ndihmës humanitare që është lejuar në Gaza deri në këtë pikë është plotësisht i pamjaftueshëm dhe jo në përpjesëtim me nevojat e njerëzve në Gaza, duke e komplikuar tragjedinë humanitare”, tha ai.

Shefi i OKB-së përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe qasje të pa penguar humanitare për ata në Gaza në nevojë.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit e kryer në fillim të këtij muaji.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 8.525 palestinezë dhe mbi 1.538 izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë thirrjet në rritje për një armëpushim, duke theksuar se kjo do të ishte një “dorëzim” ndaj Hamasit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re