Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka njoftuar se ambasadori i bllokut evropian në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në rezidencën e tij në Khartoum, transmeton Anadolu.

“Disa orë më parë, ambasadori i BE-së në Sudan është sulmuar në rezidencën e tij. Kjo përbën një shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës”, shkroi Borrell në twitter.

Borrell theksoi se siguria e ambienteve dhe stafit diplomatik është një “përgjegjësi kryesore” e autoriteteve të Sudanit, si dhe një detyrim sipas ligjit ndërkombëtar.

Të shtunën, luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) shpërthyen në kryeqytetin Khartoum dhe rrethinat e tij.

Sipas të dërguarit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Sudan, mbi 180 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1.800 të tjerë janë plagosur deri më tani në përleshjet e armatosura midis rivalëve ushtarakë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re