Ky sezon i vjeljes së shegëve nuk ka qenë më i miri për kultivuesit në Divjakë.

 

Një prej tyre Shpëtim Oseku, thotë se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, rreth 75% e prodhimit është dëmtuar .

 

Vjelja ka nisur në muajin shtator me varietetin izraelit dhe po vijon, por shegët po kalben në degë.

 

 “Shega mori dy goditje të rënda, në kohën e lulëzimit dhe tashmë në kohën e vjeljes, ku u dëmtua nga shirat e vjeshtës. Kjo frutikulture është e kultivuar masivisht në Karavasta, kam ngritur plantacionin më të madh me 48. 000 rrënjë shegë.”

 

Në 7 vite të kultivimit të shegës, ky është viti më i keq thotë Oseku, ndërsa shton  se dëmi financiar arrin në miliona lekë.

 

Një tjetër problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Zona është shpopulluar ndjeshëm dhe punëtorët sigurohen nga shumë larg.

 

Ndërsa e quajnë këtë si vit të falimentimit, fermerët thonë se ndihma e shtetit në të tilla raste është zero.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re