Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi sot në një komunikim live me ndjekësit e tij se Shqipëria është më larg Europës në krahasim me fqinjët, dhe kjo sipas tij vjen për shkak të politikave të ndjekura. Shehi u shpreh se qeveria sot nuk respekton rregullat e BE dhe për problematikat që nuk i menaxhon dot ia vë fajin Europës. Ai tha se vendi ynë ka pasur ëndërr perëndimin dhe duhet të qëndrojë me kokë nga ardhmja.

“Kjo qeveri që është sot dhe nuk respekton rregullat e Europës dhe një sërë problematikash ja vë fajin Europës. Herë pas here këtu rrëshqasin fjalë të mëdha dhe të bëjnë të dyshojnë. Europa është institucion burokratik por nuk mund ta ndryshojmë. Por vetëm një gjë duhet të kemi parasysh, në vitin 1995 Shqipëria ishte vendi më afër Europës. Sot kam frikë se ne jemi më larg Europës se sa fqinjët tanë.

Edhe Serbët janë përpara nesh sepse qeverisen nga njerëz më serioz jo si ata që qeverisemi ne sot. Zgjedhjet në Shqipëri vidhen herë nga një krah. Herën e fundit zgjedhjet nuk ishin zgjedhje fare. Europa na shikon. Prandaj duhet të jetë përcjellja jonë pro europiane. Ne jemi një vend që nga pozicioni gjeografik dhe krejt pjesën tjera jemi pro europiane. Kush do ta përthyejë po bën një gabim histori. Këtu gjysma e shkëmbimeve bëhen me euro.

Kur do të shesësh një mall do ia ofrosh një ortaku, jo të tjerëve. Vetëm Shqipëria e bën një devijim të tillë. Kemi gati 1 mln e sa njerëz që punojnë në perëndim dhe mbajnë gjysmën e këtij vendi. Ne punojmë dhe jetojmë në perëndim.

Ajo ka qenë ëndrra jonë dhe kjo është e ardhmja jonë. Duhet ta mbajmë kokën nga perëndimi. Kam qenë në 2003 në Berlin. Shikoja në shesh, ishin një grup deputetësh, shikoj nxënës nga gjithë Europa që flisnin me gjuhën e tyre. Dhe thashë o zot ishalla vjen dita të bredhin dhe kalamajtë tanë si këta”, tha Dashamir Shehi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re