“Sami Frashëri” është shkolla ikonë jo vetëm për kryeqytetin, por edhe Shqipërinë, pasi ka nxjerrë një plejadë të brezave të artë të nxënësve, duke qenë tempulli për ndërtimin e intelektualëve , të shtetarëve dhe politikanëve.
Bëhet fjalë për një nga gjimnazet më të njohura të Tiranës, aty ku kanë mësuar personalitete të Shqipërisë, duke nisur nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, ish-kryeministri Fatos Nano, kryebashkiaku Erion Veliaj, lideri i opozitës, Lulzim Basha, ish deputeti aktualisht drejtori i Përgjithshëm i Top Channel Ben Blushi, Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Bamir Topi, Mimi Kodheli, Saimir Tahiri, Genc Ruli, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Zana Guxholli, Genc Pollo, Fatos Lubonja, etj.
E ndërtuar në vitet 60’, gjimnazi “Sami Frashëri” është shkolla e parë që do të rindërtohet pas dëmeve të rënda në kolonat mbajtëse që pësoi nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Shkolla “Sami Frashëri” në ditën e sotme është prishur, pasi ka pësuar goditjen të fortë nga tërmet i 26 Nëntorit, për të nisur nga puna për ndërtimin e një godine më të madhe e më të sigurt.
Godina e re pritet t’i japë fund edhe mësimit më 2 turne. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se godina e vjetër do t’ia lërë vendin një godine të re moderne.
“Është një ditë e rëndësishme për qytetin, një ditë e rëndësishme edhe për mua personalisht. Kjo është shkolla ime e vjetër, kam shumë kujtime këtu, shumë nostalgji. Shkolla është një vend fantastik, një vend ku ti kupton se, pavarësisht se mund të ndahemi me bindje, mund të jemi të majtë e të djathtë, por ky vend na bashkon. Është një ditë e mbushur me emocione për shumë prej nesh, që kanë kujtimet e rinisë së tyre nga kjo shkollë. Unë e kam mbaruar shkollën në vitin 98-të; viti 97-të ka qenë viti më kritik në shkollë dhe edhe formimin tim politik ia dedikoj debateve dhe frymës që ka pasur “Sami Frashëri”, por vjen një moment kur duhet t’i themi lamtumirë nostalgjisë edhe kujtimeve.
Më tej ai u shpreh se “këtu kanë mësuar personalitetë të Shqipërisë, duke nisur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ish kryeministri Fatos Nano, lideri i opozitës, Lulzim Basha, Jorida Tabaku, Bamir Topi, drejtori i Top Channel Ben Blushi, Dashamir Shehi, apo emra të tjerë.”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj zbuloi dhe batutën që i kishte bërë ish-kryeministri dhe lideri socialist, Fatos Naono pas telefonatës së bërë për prishjen e shkollës ku ai ka studiuar. “Shoku Nano më tha batutë që Mjafti (lëvizja e Veliajt) më prishi karrierën politike, tani po më prish edhe shkollën. Shoku Fatos është i njohur për batuta e humor. ‘Mjaft-i m’i prishi të gjitha planet që kisha në jetë, tani më prishi dhe shkollën’. I premtova se do e ftoj në inagurimin e shkollës së re”, u shpreh Veliaj për Top Channel. ku kam studiuar”. – shtoi Veliaj.
Ai theksoi se ka biseduar në telefon dhe me presidentin Meta dhe me politikanin e njohur Dashamir Shehu.
Kreu i Bashkisë u shpreh se për shkak të amortizimit, shkolla “Sami Frashëri” e kishte të domosdoshme rindërtimin, ndërsa sqaroi se nxënësit do të transferohen përkohësisht tek shkolla “Çajupi”. “Shkolla është ndërtuar në vitet 60-70, e patë sesi nga zgavella e krijuar nga prishja doli që s’kishte asnjë kolonë betoni dhe çeliku, por vetëm mur. Sigurisht, në vitet e vështira të komunizmit, edhe materialet ishin të varfra. Shpeshherë kemi ndërhyrë për estetikë, por të ndryshosh banjot, çezmat, rrjetin elektrik, të bësh palestër, të bësh koshat e basketbollit, nuk do të thotë zëvendësim i themeleve dhe i kolonave, që janë po ato që kanë qenë. Këtu besoj jemi të gjithë dakord që pasi u pa nga grupet e huaja të inxhinierëve të Institutit të ndërtimit dhe inxhinierët e bashkisëm u arrit në përfundimin se nostalgjive do t’u themi mirupafshim, për t’i hapur udhën një projekti të ri të shkollës. Shkolla “Sami Frashëri” përkohësisht është transferuar tek shkolla “Çajupi”, por tani të gjithë shkolla po bëhen online, kështu që ky transferim nuk besoj se ka ndonjë vlerë në këtë moment”, tha ai.
Veliaj theksoi se brenda verës do të nisë puna edhe për ndërtimin e godinës së re të shkollës, e cila pritet që të jetë gati shtatorin e vitit të ardhshëm.
“Brenda verës do të fillojmë ndërtimin e shkollës, që në shtatorin ri ne të kemi shkollën më të bukur, më të mirë dhe më të madhe në Republikë. Duke qenë se “Sami Frashëri” tashmë ishte një shkollë me dy turne – në Tiranë kishin mbetur vetëm dy shkolla të mesme me dy turne, “Sami Frashëri” dhe “Ismail Qemali”, – kjo ulje presioni, pra transferimi në një shkollë tjetër, do të bëjë që në regjistrimet e reja “Sami Frashëri” të mos ketë të njëjtin fluks, çka do na mundësojë që kur të fillojmë shtatorin tjetër, të fillojë me numra optimalë të shkollës dhe jo një tjetër shkollë me dy turne. Është një ditë plot me emocione dhe me shumë kujtime që i përcjellim njëherë e mirë, por besoj se do të hapim rrugë për shumë kujtime të tjera për djem dhe vajza që, ndoshta do e çojnë më lart emrin e kësaj shkolle se ne që kemi mbarur te “Sami Frashëri”, theksoi Veliaj.
Shtimi i hapësirave për aktivitete komunitare është pjesë e projektimit, jo vetëm ambiente sportive, por edhe të tjera që të mund të përdoren nga komuniteti.
