Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për media, është shprehur se shumë shpejt deputetët e partisë së tij do të thërrasin në interpelancë ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, për aksin e shembur ‘Korçë-Ersekë’.

Meta, i cili e ka parë nga afër aksin, është shprehur se e gjithë qeveria duhej të kishin shkuar atje, ndërsa tha se vjedhja që bëhet është mizore, duke rrezikuar dhe sigurinë e qytetarëve.

“Mendoj se e gjithë qeveria dhe shteti duhet të kishin qenë te ura e rrugës Korçë-Ersekë, për të cilën kryeministri premtoi se do të inaugurohej së shpejti. Falë zotit rruga ra pa kaluar autobusë e makina të tjera për të dëshmuar se rilindja i fryn kostot e rrugëve qëllimit për të vjedhur në një mënyrë mizore, duke rrezikuar dhe sigurinë e qytetarëve, sepse unë e paralajmërova atë që do të mund të ndodhte një javë para se të ndodhte, sepse është e qartë. Kushdo që ka kaluar atje, e ka parë sesi tundet e shkundet makina. Isha vetë këto dy dite, sepse ndodhi një shembje e dytë. Ishte një gjë e tmerrshme, sepse atje duket qartë që s’ka shtresa nënshtresa, gurë, çakull, por vetëm kashtë dhe një tegel asfalt sipër. Mirë ata që e kanë bërë, por kush është ai supervizor që ka marrë përsipër për të certifikuar punime të tilla.

Është e qartë se rrugët janë instrumenti sesi Rilindja të vjedhë dhe të zhvasë sa më shumë me të ashtuquajtura investimet publike.

Dihet që të gjithë këta persona janë thjeshtë bedela të një korrupsioni që drejtohet dhe komandohet nga vetë Edi Rama dhe sa herë i duhet të devijojë vëmendjen nga çështje të caktuara, sakrifikon drejtorë.

Për rrugën Korçë-Ersekë do të ketë interpelancë të posaçme me ministren e Infrastrukturës dhe do të shohim mundësit për shumë çështje të tjera. PL ka qenë dhe është shumë aktive duke bërë dhe denoncime”, tha Meta.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re