Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka kundërshtuar projektvendimin e publikuar i cili parashikon prishjen e banesave mbi 50-vjeçare në rast se paraqesin rrezik. Në një deklaratë nga selia Meta e ka cilësuar këtë vendim antikushtetues.
Kreu i Institutit të Ndërtimit Artan Shkreli ndërkohë sqaroi se auditimi është një nismë që ka nisur që pas tërmetit 2019 dhe synon që të ndërhyhet për riparim aty ku është e nevojshme.
Në bazë të projektvendimit të gjitha ato objekte që janë ndërtuar para më shumë se 50 vitesh do ti nënshtrohen një procesi të hollësishëm të auditimit Teknik, për të parë nëse ato plotësojnë kërkesat e rezistencës dhe sigurisë.
Subjekti auditues i ndërtesave do të përcaktohet nga institucionet dhe auditimi Teknik do t’ivendoset në dispozicion Institutit të Ndërtimit për tëbërë oponencën. Më pas ky institucion do të japë konkluzionet nëse pallati mund të riparohet, apo duhet të shembet.