Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka paralajmëruar masa ndëshkuese në lidhje me ndërtimet pa leje, duke nisur nga investitori e deri tek punonjësit e kantiereve dhe oficerët e policisë apo inspektorët e IKMT-së që kanë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje.

Çuçi ka shkruar me anë të një statusi në rrjetet sociale se pas ndërtimeve në bregdet e kanë radhën zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare.

“Javën e ardhshme do të nisim fillimisht me shembjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

Më tej është radha e atyre që kanë ndërhyrë në zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare. Policia e Shtetit dhe IKMT kanë bërë bërë evidentimin e ndërtimeve dhe çdo strukture tjetër të ngritur pa leje në të gjithë territorin e vendit.

Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe pas ndryshimit të Kodit Penal, masat ndëshkuese janë ashpërsuar dhe prekin të gjithë zinxhirin e ndërtimit nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe oficerët e policisë e inspektorët e IKMT-së që mund të kenë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje. S’ka kohë për pushim”, shkruan Çuçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re