Aktivisti Gjergj Bojaxhi të martën është shprehur se prishja e Teatrit Kombëtar me shumë gjasa ka ndodhur për shkak të ndërtimit të kullave që janë projektuar të ngrihen në pjesën e pasme të tij.

I ftuar në emisionin “Në Fokus” në TVT, Bojaxhi theksoi se prishja e këtij teatri dhe krijimi i identiteteve të reja nuk janë identitete që shoqëria i sheh si frymëzuese apo inspiruese, por sipas tij, janë thjeshtë identitete pazaresh ordinere.

“Në rastin më të mirë është një kryeministër që është fiksuar të rrezojë atë godinë dhe është i gatshëm të bëjë çdo gjë për t’a rrezuar dhe rasti më i keq është pazari ordiner për ato ndërtesa dhe ato kulla që do të bëhet nga mbrapa teatrit, të cilat janë mbase arsyeja kryesore që teatri u prish”, tha ai.

Sipas tij, identiteti i Tiranës nuk po ndryshohet nga një moral i shëndetëshëm politik dhe shoqëror, por po ndryshohet nga një imoralitet ekonomik dhe politik.

“Kjo është më e rrezikshme se sa të kemi një ideologji të majtë apo të djathtë për ta çuar vendin përpara. Pasi këto ideologji i kanë ca kollona dhe parametra ku ti mund ti kundërshtosh apo artikulosh. Kurse kjo ideologji që është sot është thjeshtë një ideologji hajdutësh. Teatri i ri që duan të ndërtojnë këta, do shkatërrojë atë harmoni që ka ai shesh me ato ministri dhe godina publike që e rrethojnë”, tha Bojaxhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re