Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka nisur hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku.

Drejtuesi i SPAK, prokurori Arben Kraja, i tha BIRN se ka një procedim penal të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të artistëve, por se nuk ka emër të regjistruar. “Çështja është në hetim”, pohoi Kraja.

Më 6 maj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kallëzoi pranë SPAK, Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”.

Një dokument që mban firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, i rrjedhur në media, sugjeron se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë një vendim të enjten më 14 maj, për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Sipas dokumentit, vendimi është marrë në bazë të një “akt-ekspertize të Institutit të Ndërtimit, e cila mban datën 13 Maj 2020. Vendimi i këshillit bashkiak i marrë të enjten duhet fillimisht të publikohet dhe hyn në fuqi dhjetë ditë pas publikimit.

Beteja për Teatrin Kombëtar filloi në Shkurt 2018, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi planet për një kontratë koncesionare kontroverse, e cila dështoi dy vjet më vonë pas rezistencës së aktivistëve, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.

Kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi së fundmi edhe Bashkimi Europian, përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës. BE këshillon kundër shembjes, duke e quajtur atë “hap të pakthyeshëm”./BIRN

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re