E premtja nisi si një ditë e zakonshme pune për punëtorët e këtij pallati në Tiranë, por u mbyll në mënyrë tragjike me vdekjen e dy prej tyre dhe plagosjen e tre të tjerëve. Inspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës Armando Loga tregon për Vizon Plus se punëtorët në momentin e aksidentit ishin duke çmontuar skelën, teksa kjo e fundit është lëkundur dhe më pas është shembur duke lënë pas pasoja tragjike.

 

Nga veprimet paraprake ngjarja ndodhur pasi ka ardhur një lekundje e skelës në formën e një vale deti duke bërë që skela të shembet dhe punëtorët të bien nga lartësia duke sjellë pasoja tragjike. Dyshimet janë që diçka nuk ka funksionuar siç duhet por ne do ta verifikojmë për të zbardhur shkaqet.

 

Për inspektoratin e punës është ende herët për të dalë në konkluzione nëse ngjarja ka ndodhur për mungesë të respektimit të rregullave në punë apo për shkak të ndonjë gabimi njerëzor. Kjo për shkak se policia ka sekuestruar procesverbalet si dhe ka arrestuar inxhinierin dhe drejtuesin teknik të punimeve.

 

Ne kemi forma për të verifikuar nëse janë respektuar rregullat në punë. Çdo punëtor e nis ditën me marrjen e pajisjeve individuale të sigurisë nëpërmjet një procesverbali, do verifikojmë dokumentacionet për montimin e skelës si dhe të çmontimit të saj dhe mbi të gjitha do të shohim a janë informuar dhe trajnuar më parë punëtorët.

 

Kompania e skelave “Syla” konsiderohet një subjekt me rrezikshmëri të lartë ndaj dhe inspektimet kanë qenë të fokusuara në këtë biznes.

 

“Syla” është një subjekt i inspektimeve të shpeshta, për shkak të riskut që paraqet. Vetëm gjatë viti 2018-2019 ajo është inspektuar 7 herë. Në aktet e inspektimit janë gjetur shkelje dhe janë lënë detyra për përmirësimin e kushteve.

 

Sa i përket kompanisë tjetër që merret me punimet e veshjes së pallatit, nuk ka një histori inspektimi pasi ajo rezulton me aktivitet në Përrenjas dhe jo në Tiranë. Sipas ligjit, subjektet me risk të lartë që operojnë në fushën e ndërtimit, prodhimit rrobaqepësi, etj kontrollohen jo më shumë se15 herë në vit.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re