Barra e sëmundjeve në popullatën shqiptare është duke shënuar rritje nga viti në vit, si rrjedhojë e plakjes së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, në raportet e monitorimit për vitin 2023, tregojnë se rritja natyrale e sëmundjeve kronike për 8-mujorin 2023 është 5.9% në krahasim me vitin 2022. Kontingjenti i ri i të sëmurëve kërkon trajtimin të vazhdueshëm me mjekim falas, por fondet e rimbursimit nuk janë të mjaftueshme. Në raportin zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dukje se fondet për rimbursimin nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar që të rritet tavani i Fondit për vitin 2023.

“Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2022 është 1,83 diagnoza, ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2023 është 1,96 diagnoza. Rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6.9% më e lartë më 2023”, analizoi Ministria e Shëndetësisë. Rritja e sëmundjeve kronike që përfshijnë rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemave të mjekimit ndikon në ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit.

Në 8-mujorin 2023 janë evidentuar 74,331 raste të reja të sëmurë kronikë, të cilët kërkojnë së paku një vlerë shtesë në fondin e rimbursimit me vlerë 270,020,711 lekë, ose 3.3% më shumë.

Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista nuk indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. Në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur. Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.

Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%, shkruan Monitor.

Ndërkohë, KLSH ka evidentur në raporte një sasi të konsiderueshme barnash të cilat janë në listat e rimbursimit, por nuk kanë konsum.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re