Ballina SHENDETI Shëndetësia, Shqipëria me buxhetin më të ulët në Rajon

Shëndetësia, Shqipëria me buxhetin më të ulët në Rajon

22

Shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimeve e përgjithshme publike, gjë e cila vijon të mbetet në fuqi dhe për vitin 2022. Politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nënfinancuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të paprioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie mbi përdorimin e tyre duke riskuar kështu dhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Databaza e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat, me mesatarisht 9.8% përgjatë periudhës 2015-2020, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Bosnje-Hercegovina dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar kjo me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Nëse do të analizojmë vetëm sektorin e shëndetësisë, shpenzimet në përqindje ndaj PBB në vite luhaten në intervalin 2.9%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë, shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10.1%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2.

Shpenzimet faktike në vite sipas programeve kryesore buxhetore të MSHMS paraqiten në grafikun e mëposhtëm. Ajo që vihet re është trendi në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, kombinuar me trendin në rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësor. Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022” mbështetur nga NED dhe publikuar në faqen https://transparency.com.al/.

Për raportin e plotë, ju lutem klikoni linkun: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)

Burimi: https://transparency.com.al/
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re