ervin demo
ervin demo

Nga “beratinews.com”

Ndërkohë që demokratët pasdite protestojnë, socialistët paradite kanë zhvilluar mbledhjen e kryesisë, ku kanë zyrtarizuar kandidatët për zgjedhjet lokale.Ditën e hënë, më 13 maj, është afati i fundit i regjistrimit në KQZ të kandidatëve për kryetar bashkie së bashku me këshilltarët bashkiak dhe, ndërsa të majtët janë të vendosur të respektojnë afatin zgjedhor, nga ana tjetër, të djathtët e kanë vulosur fatin e tyre për bojkot të këtyre zgjedhjeve.

Përballë dilemës opozitare, nuk ka pasur asnjë mëdyshje kryesocialisti Edi Rama për kandidaturën e Ervin Demos për Bashkinë e Beratit, duke e zyrtarizuar edhe formalisht në strukturën më të lartë partiake. Dilemë që, në fakt, ishte tejkaluar prej kohësh, ku gjatë një takimi disa muaj më parë me strukturat e PS-së në Berat, Rama ishte i prerë dhe nuk la asnjë vend për dyshim: “Ervini do të jetë kanidati ynë për zgjedhjet e 30 qershorit, – mësohet të jetë shprehur shefi i mazhorancës në atë kohë. –Madje, ai do jetë kryetari i ri i Bashkisë së Beratit pas 30 qershorit.”

Përtej zhvillimeve të dukshme në kampin socialist të Beratit, “beratinews.com” e kishte njoftuar kandidaturën e mundshme të Ervin Demos për këtë Bashki rreth një vit më parë, gjë që korrespondoi edhe me komandimin e tij si koordinator për rininë socialiste të qytetit. Ndërsa Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidaturat e saj për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në të gjithë Shqipërinë, opozita është në rrugë dhe vijon protestat, Ervin Demo vijon rrugëtimin e tij të nisur prej muajsh në Berat.

Fushata e tij duket se ka një karakteristikë të veçantë: takime të vogla me pak njerëz, pa zhurmë, ku të dëgjohet gjithsecili.Dorë më dorë, derë më derë, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat, njësi administrative më njësi administrative, hapat kilometrik të Demos duket se kanë tejkaluar zhvillimet konfliktuale të politikës së ditës, duke i lënë ato pas e duke takuar çdokënd në Berat, të majtë e të djathtë, me parti dhe pa parti.

“Unë jam përqëndruar tek të gjithë qytetarët e Bashkisë së Beratit pa diferencim, sepse hallet dhe problemet që ka qyteti të gjithë i përjetojnë njëlloj.” –  u shpreh Demo pak ditë më parë në një intervistë televizive në Berati TV.Gjithashtu, ai ka folur për një shkollë të re që ka kaluar gjatë kësaj periudhe në Berat, ku ka mësuar shumë, duke i prekur dhe i dëgjuar problemet e njerëzve përballë e nga afër.

“Prezenca dhe lidhja ime me qytetin gjatë këtyre muajve jo vetëm ka qenë e domosdoshme, por ka qenë një shkollë e re për mua, sepse, për shkak të profesionit të pedagogut, pavarësisht se unë kam qenë gjithë kohën në kontakt me studentë dhe profesorë, shpeshherë na humbet pak lidhja me banorët e thjeshtë, ndërsa afërsia me njerëzit gjatë këtyre shtatë muajve më ka bërë shumë mirë nga pikëpamja personale, sepse të qenurit pranë problemeve dhe të dëgjuarit të tyre janë krejt ndyshe kur ti i merr nga dëshmitë e gjalla të njerëzve, që ballafaqohen me problemet e jetës dhe të qytetit.”

E teksa Demo vijon takimet dhe dëgjon hallet dhe shqetësimet e beratasve, një grup i konsoliduar specialistësh punojnë pas tij për hartimin e një projekti zhvillimor për Bashkinë Berat, duke integruar në të edhe njësitë administrative së bashku me zonat rurale, projekt i cili do të bëhet publik hap pas hapi e zonë pas zone në takimet e radhës në çdo lagje e njësi administrative. Kronika lokale e zgjedhjeve të 30 qershorit duket se do të jetë e qetë. Pavarësisht vendimit të partive të tjera politike, Ervin Demo do të jetë kryetari i ri i Bashkisë Berat. /beratinews.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re