Dalja e Ledio Biankos tribunën e Metës në manifestimin e papracedent këtij të fundit në trajtën e një proteste anti-mazhorancë, ishte ndër shfaqjet më fyese për publikun.

Ledio Bianko, një ish-figurë jo qëndrore e afërt me PD-në, me pak pushtet në kohën e qeverisjes së saj, profilin kryesor e ka atë të një juristi të përgatitur. Karriera e tij deri në Strasburg, është tregues i një kapaciteti në këtë lëmë.

Dhe, ajo çfarë do priste opinioni prej tij, e që ai do i bënte shërbim  të vërtetës po t’ja jepte, do ishte një qartësim mbi atë, sipas gjykimit të tij, nëse Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën, duke nisur që nga mosdekretimi i dy ministrave më shumë se një vit më parë, e deri te vendimi për dalë në bulevard e udhëhequr protesta, ku mes tyre qëndron anullimi i zgjedhjeve të 30 qershorit, për të cilin Komisioni i Venecias e ka dhënë tashmë një opinon: tejkalim kompetencash.

Ajo fjalëmbajtje e tij në tribunën e Metës, ku shpaloste parime demokracie, nuk i duhet askujt. Në ato që tha nuk bëri ndonjë zbulim të madh befasues.

I shfaqur politikisht në një moment, pa ofruar asgjë profesionalisht ç’prej më shumë se një viti që kur mazhoranca akuzon presidentin për shkelje kushtetuese, e që për këto arsye kërkon ta shkarkojë, Ledio Bianko mbetet si shumë e shumë të shkolluar në këtë vend prej atyre që vijnë e ikin dhënë asgjë, pa lënë asnjë gjurmë. Ledio Bianko do ishte i respektuar e i vlerësuar, nëse gjithë kapacitetin e tij juridik e vinte në shërbim të situatave plot ngërçe. Keni lexuar ndonjë shkrim nga Ledio Bianko në këto kohë të trazuara me ngërçe juridike?

Keni hasur ndonjë analizë të tij juridike? Nuk ka aspak rëndësi nëse ato do shkonin në favor të njërit apo tjetrit krah, mjaft që ajo çfarë shkruhej, ajo çfarë zbërdhehej, të vinte era profesionalizëm, të vinte era ekspert.

Vini re: në gjithë fjalëmbajtjen e tij prej juristi Strasburgu në tribunën e Metës, në asnjë rast nuk bëri avokatin, me gjuhë profesionale sigurisht, atë të thuktën juridike, se si përligjej me Kushtetutë dalja e një presidenti në rrugë.

Çfarë ndodh më këtë soj njerëzish? Shkollohen, ndjekin karriera, arrijnë poste, të ardhura goxha, por në fund vetëdënohen mos jenë kurrë një histori, një emër për t’u përmendur e kujtuar nga brezat; një emër që inspiron, modelon, imponon, edukon, revolucionarizon.  Ata përfitojnë për vete, por shoqëria kurrë prej tyre! (tesheshi)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re