Të harroni ku keni lënë çelësat ose pse hyni në një dhomë është diçka që i ndodh të gjithëve. Në jetën tonë të përditshme të ngarkuar, këto episode të vogla harrese shpesh lidhen me stresin ose lodhjen.
Por kur kalon harresa nga diçka e zakonshme në një arsye për shqetësim? Dhe si ta dallojmë harresën e zakonshme nga ajo që mund të tregojë një rënie të aftësive njohëse?

“Një nivel i caktuar harrese është normal – si p.sh. të harrosh ndonjëherë emrin e dikujt apo të humbasësh ndonjë send – dhe nuk është gjithmonë arsye për alarm,” shpjegon Dr. Henk Swanepoel, neuropsikolog në Cygnet Health Care.

Sipas tij, dallimi që duhet të na shqetësojë është kur harresa fillon të ndikojë në jetën e përditshme. Nëse harresat pengojnë përditshmërinë dhe funksionimin normal, atëherë duhen trajtuar seriozisht.

“Nëse dikush fillon të harrojë shpesh takime, harron biseda që sapo ka bërë, ose ka vështirësi me detyra që më parë i përballonte lehtësisht – si ndjekja e recetave, pagesa e faturave apo orientimi në rrugë të njohura – këto janë shenja që nuk duhen neglizhuar,” paralajmëron ai.

Dr. Swanepoel thekson se frekuenca e harresës është çelësi. Një episod i vetëm i shkaktuar nga lodhja ose stresi nuk është njësoj me një model të përsëritur të rënies së kujtesës.

Për këtë arsye, Lyons këshillon të mbani shënime për çdo ndryshim që vëreni:

“Shkruani çfarë ka ndodhur, kur dhe ku, sepse kur të shkoni te mjeku mund të mos kujtoni saktësisht që kur kanë nisur simptomat. Të dhënat e detajuara e ndihmojnë mjekun të kuptojë më mirë situatën.”

Mos e neglizhoni harresën – mund të jetë e trajtueshme

“Ndonjëherë harresa është tregues se nuk po përballoni dot stresin apo vështirësitë emocionale dhe fizike,” shpjegon Lyons.
“Është e rëndësishme të kujdesemi për trurin tonë njësoj si për pjesët e tjera të trupit – është një mjet i çmuar që shpesh e marrim si të mirëqenë.”

Harresa nuk është gjithmonë demencë

Jo çdo humbje e kujtesës është shenjë e demencës. Shpesh ajo mund të shkaktohet nga gjendje të trajtueshme si:

  • mungesa e vitaminës B12, që ndikon në përqendrim dhe kujtesë;
  • depresioni, që ul fokusin dhe përfshirjen mendore;
  • probleme me tiroiden, që mund të shkaktojnë konfuzion;
  • menopauza, që shpesh shoqërohet me “mjegull në tru”.

Çfarë të bëni nëse shqetësoheni për kujtesën?

“Nëse keni shqetësime për veten apo për dikë tjetër, mund të kontaktoni linjën e ndihmës të infermierëve specialistë për demencën për këshilla,” thotë Lyons.
“Ne nuk mund të vendosim diagnozë, por mund të ju dëgjojmë dhe t’ju drejtojmë drejt hapave të duhur.”

Diagnoza fillon me vizitën te mjeku i familjes, i cili mund të:

  • dëgjojë për simptomat dhe historikun e tyre;
  • bëjë analiza gjaku për të përjashtuar shkaqe të tjera;
  • kërkojë EKG apo t’ju referojë në klinika të specializuara për kujtesën./ Shendeti.com.al/ Burimi: Independent
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko