Ministria Palestineze e Bujqësisë njoftoi se Izraeli po përpiqet të aneksojë rreth 500,000 hektarë parqe kombëtare dhe rezervate natyrore në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministri i Bujqësisë Riyad al-Attari tha për Radio Voice of Palestine se Izraeli po përgatit një ligj që parashikon zbatimin e masave në Bregun Perëndimor në zonën ku ka parqe kombëtare, rezervate natyrore dhe monumente të rëndësishme.

Ai shtoi se qëllimi i ligjit është “vazhdimi i procesit të aneksimit të territoreve të pushtuara në vitin 1967”, transmeton Anadolia.

Ai theksoi se ky ligj do të bëjë që shteti palestinez të humbasë burimet e tij natyrore dhe zona të mëdha me biodiversitet, si dhe një përpjekje për të judaizuar dhe vjedhur trashëgiminë kulturore palestineze.

Në fillim të majit, Palestina i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) që të ndërhynte për të ndaluar projektin e vendbanimeve të Izraelit në zonën arkeologjike të Sebastias në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ne i bëjmë thirrje UNESCO-s që të parandalojë autoritetet okupuese izraelite që të krijojnë një projekt vendbanimi pranë fshatit Sebastia, në veri të qytetit të Nablusit”, tha kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh.

Ai paralajmëroi se projekti izraelit i vendbanimeve do të shkaktonte dëme të mëdha në vendin historik pranë fshatit.

Kryetari i Sebastia-s, Mohammad Azem, tha se projekti izraelit synon ta kthejë zonën arkeologjike në park.

“Projekti përfshin ndërtimin e një rruge, punimet e gërmimit dhe ngritjen e një rrjeti elektrik që do të ndryshojë tërësisht karakterin historik të zonës”, tha ai.

Vendndodhja e Sebastia-s është një vend i lashtë dhe historik që daton në kohën helenistike dhe romake.

Sipas gazetës Haaretz, qeveria izraelite ka miratuar një propozim për të investuar 29 milionë sikëla izraelitë (8 milionë dollarë) në zhvillimin e zonës Sebastia për të lejuar më shumë kolonë të arrijnë në zonë dhe të reduktojnë aksesin palestinez.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re