Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS) po përballet me “krizën më të madhe të fuqisë punëtore” në historinë e saj, thuhet në raportin e komisionit parlamentar të publikuar.

Raporti i Komitetit të Kujdesit Social të Shëndetësisë gjithashtu kritikoi “mungesën e një strategjie të besueshme qeveritare” që të merret me krizën, duke shtuar se pothuajse çdo sektor përballet me mungesa kritike të fuqisë punëtore.

Kryesues i Komitetit është Jeremy Hunt, deputet i Partisë Konservatore në pushtet dhe ish-sekretar i shëndetësisë.

“Aktualisht në NHS dhe në kujdesin social po përballemi me krizën më të madhe të fuqisë punëtore në histori, pa pasur ende asnjë ide për numrin e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë që kemi nevojë në të vërtetë”, theksohet në raport.

Raporti shtoi se stafi i rraskapitur i NHS-së ende po rimëkëmbet nga pandemia COVID-19 dhe se qeveria “të paktën atyre duhet t’u jap pak kurajë se të paktën vendi ka një plan”.

“Kjo duhet të jetë prioritet për kryeministrin e ri”, thuhet më tej, duke iu referuar garës së vazhdueshme të udhëheqjes së Partisë Konservatore për të gjetur zëvendësuesin e kryeministrit Boris Johnson.

Raporti i komitetit më tej thekson se kriza e personelit është në fakt më e keqe se sa tregojnë shifrat zyrtare.

“Mungesa e vazhdueshme e personelit të NHS-së përbën rrezik serioz për stafin dhe sigurinë e pacientëve, si për kujdesin rutinë ashtu edhe për kujdesin urgjent”, thuhet në raport, duke u theksuar më tej se “derisa mungesat në çdo fushë paraqesin rreziqe për sigurinë e pacientit, këto veçanërisht janë urgjente në shërbimet e maternitetit”.

Vitin e kaluar, qeveria pranoi se NHS në Angli kishte nevojë për 2 mijë akushere dhe 500 obstetër më shumë, por pavarësisht kësaj raporti thekson se NHS në Angli në fakt “humbi 552 akushere midis marsit 2021 dhe marsit 2022”.

Raporti shton se nuk është caktuar ende një datë nga sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, se kur do të plotësohej ky boshllëk në fuqinë punëtore të NHS-së.

“Vlerësojmë jashtëzakonisht shumë përkushtimin dhe kontributin e NHS-së dhe stafit të kujdesit social. Po rrisim fuqinë punëtore shëndetësore dhe sociale, me mbi 4 mijë mjekë më shumë, 9.600 infermierë më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe mbi 1.400 mjekë më shumë në praktikën e përgjithshme krahasuar me marsin e vitit 2019″, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social.

“Kemi kërkuar nga NHS Angli të zhvillojë një plan afatgjatë të fuqisë punëtore për të rekrutuar dhe mbështetur stafin e NHS-së ndërsa ata ofrojnë kujdes të cilësisë së lartë dhe të sigurt për pacientët dhe ndihmojnë për të kapërcyer numrin e mbetur të COVID-19”, shtoi ai.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re