Qeveria parashikon që në vijim në bashkëpunim me Autoriteti në Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Postën Shqiptare të rishikojë çmimet për shërbimin universal duke adresuar mbulimin e kostove neto.

Në “Dokumentin e politikës së shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë 2021 e në vijim” të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare thuhet se “me qëllim reflektimin e ndryshimeve të ndodhura në tregun postar, si dhe dinamikën e zhvillimeve, ministria do të bashkëpunojë me AKEP-in dhe Postë Shqiptare sh.a., për rishikimin e tarifave të shërbimeve universale postare, sipas praktikave më të mira. Gjithashtu, do të ndërmerren hapat e nevojshëm për adresimin e mbulimit të kostove neto, për ofrimin e shërbimeve universale postare në rastet e justifikuara, sipas parashikimeve në ligj”.

Sipas ligjit shërbimi universal postar i ofrohet si mundësi çdo përdoruesi në Republikën e Shqipërisë dhe përfshin ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar në rregulloren e miratuar nga AKEP-i dhe me çmime të përballueshme në të gjitha pikat e aksesit brenda territorit të tyre. Në shërbimin postar universal përfshihen objektet postare si letrat, paketat e vogla, kartat postare, cekogramet, ftesat komunikimet dhe lajmërimet gjyqësorë.

Aktualisht shërbimi universal në vend ofrohet vetëm nga Posta Shqiptare e cila është pajisur me një autorizim individual dhe duhet të ofrojë shërbim jo më pak se 5 ditë në javë.

Dokumenti i qeverisë vë në pah faktin që tregu postar vijon të mbetet ende i përqendruar pavarësisht liberalizimit të nisur në vitin 2015.

“Në vitin 2021 volumi i objekteve postare është rritur me 9.4% kundrejt vitit 2020. Posta Shqiptare sh.a., në përgjithësi, ka përpunuar në total rreth 81% të objekteve postare. Fakti që Posta Shqiptare sh.a. mban peshën kryesore të volumit në shërbimet postare, tregon që ka një përqendrim të lartë të tregut postar dhe ndikim të ulët të hapjes së tregut postar pas liberalizimit të plotë të tij me miratimin e ligjit të ri në vitin 2015.

Pozita e Postës Shqiptare sh.a. në treg lidhet me disa faktorë, si: shtrirja gjeografike e rrjetit postar në të gjithë vendin, infrastruktura më e madhe në zotërim, ofrimi i një game të gjerë shërbimesh në zyrat postare nën konceptin e zyrës me një ndalesë dhe jo vetëm “thuhet në dokument.

Duke ju referuar statistikave të fundit thuhet se gjatë vitit 2021, nga Posta Shqiptare sh.a. dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve postare janë pranuar 27,132,919 objekte postare, duke pësuar një rritje prej 9.4% krahasuar me vitin 2020, gjatë të cilit janë pranuar 24,795,179 objekte postare.

Numri total i zyrave postare në vend, në fund të vitit 2021 ishte 915 të tilla, shifër kjo që përgjatë viteve ka pësuar luhatje. Pjesa më e madhe e zyrave postare i përket Postës Shqiptare sh.a. Ndërkohë, nuk ka ndryshime esenciale për sa u takon qendrave të tranzitit, të përpunimit të objekteve postare

Për sa i përket infrastrukturës dhe mjeteve postare, gjatë vitit 2021, Posta Shqiptare ka në përdorim 474 mjete transporti, pasuar nga Albanian Delivery Express me 118, FEDEX me 113, United Transport me 111, të pasuar nga ofruesit e tjerë./monitor

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re