Numri i të shëruave këtë të enjte ishte i njëjtë me atë të të infektuarve.
Epidemiologia Rovena Daja deklaroi në daljen e saj mediatike se në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 29 pacientë të tjerë.
Sipas saj, numri i të shëruarve vijon të mbetet më i lartë se i të infektuarve aktivë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 385. Rezulton se deri tani Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar. Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.”
Një tjetër lajm i mirë, përveç rritjes së numrit të atyre që kanë mposhtur COVID-19, është edhe ulja e numrit të pacientëve të shtruar në spital.
“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 26 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë.”
Rovena Daja tha se pavarësisht se kemi një luhatje ditore të zbulimit të bartësve të virusit, situata është nën kontroll.
