VLORË- Një sherr mes të rinjve ka ndodhur pranë shkollës Profesionale në Vlorë ku kanë mbetur të plagosur dy vëllezër.

Sipas të dhënave zyrtare, është arrestuar në flagrancë një 23-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Po kështu është proceduar në gjendje të lirë për shkak të moshës një tjetër adoleshent.

Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Serxhjo Bedinaj, 23 vjeç, banues në Vlorë.

Do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës shtetasi i mitur B.B. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit, M.G., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Të tre shtetasit e mësipërm, në lagjen “Pavarësia”, pranë shkollës së mesme profesionale, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një konflikti fizik për motive banale kanë plagosur me mjete prerëse-shpuese, shtetasit N.A., 18 vjeç dhe E.A., 18 vjeç, (vëllezër), banues në Panaja, Vlorë, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.Po punohet për kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 88 dhe 25 i Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re