Dy organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë, “Europa Nostra” dhe “E Ardhmja për Trashëgiminë Fetare” kanë përfshirë Manastirin e Deçanit në Kosovë në listën e objekteve që janë në rrezik për vitin 2021, megjithëse ky manastir është në gjendje perfekte dhe nuk kërcënohet nga askush dhe asgjë.

Organizatat citojnë në raportin shoqërues të klasifikimit të këtij manastiri në objekte që janë në rrezik si “ISIS-in, ekstremistët vendorë, ndërtimin e një autostrade, sipas tyre, në dyert e tij dhe ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Qeveria e Kosovës ka reaguar menjëherë duke iu drejtuar me një kërkesë zyrtare dy organizatave për shpjegime se mbi çfarë informacionesh e të dhënash janë bazuar për ta përfshirë këtë manastir në kategorinë e objekteve në rrezik.

“Cili ka qenë burimi i informacionit për sulmin e pretenduar të organizatës terroriste ISIS në Manastirin e Deçanit? Kujt saktësisht i referoheni kur përmendni termin “ekstremistë lokalë” dhe në raportet e cilave institucione të sigurisë jeni bazuar në lidhje me katër sulmet e pretenduara? Cili ka qenë burimi i informacionit për konstatimin tuaj se në afërsi të dyerve të manastirit planifikohet ndërtimi i një autostrade të madhe ndërkombëtare?”, i thotë ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky klasifikim i Europa Nostra është i pabazuar dhe i nxitur politikisht nga Beogradi, për të prishur imazhin e Kosovës dhe krijuar perceptimin ndërkombëtar të saj si një vend “ekstremist”.

(E.H/Faxweb.al)

Për t’ju bashkuar faqes sone në Facebook, klikoni like

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re